Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka shprehur kritika të forta ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha, gjatë një interviste televizive.
Salianji deklaroi se Berisha po tregon “pafuqi politike dhe intelektuale” dhe nuk po arrin të prodhojë një alternativë fituese për opozitën.
“Janë shenja që tregojnë pafuqi politike por edhe intelektuale apo të forcës për të prodhuar një alternativë”, u shpreh Salianji.
Ai shtoi se kreu demokrat është fokusuar te sulmet ndaj mediave dhe diplomatëve, në mungesë të një narrative politike bindëse.
“Berisha është në këtë fazë, shan dhe mallkon mediat, ambasadorët sepse nuk prodhon dot një narrativë fituese”, tha ai.
Në deklaratën e tij, Salianji ngriti edhe çështjen e dosjes së AKSHI, të cilën e cilësoi si “nga më të tmerrshmet”, duke pretenduar se Berisha nuk po publikon materiale që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Përse Berisha nuk e nxjerr dosjen e ish-zv.kryeministres? Dosja e AKSHI është nga më të tmerrshmet”, deklaroi Salianji.
Ai shtoi gjithashtu se ka publikuar më herët dokumente që, sipas tij, lidhen me pretendime për përdorimin e elementëve të krimit të organizuar.
Deklaratat e Salianjit vijnë në një moment debatesh të forta brenda Partisë Demokratike, lidhur me drejtimin e partisë dhe proceset e brendshme politike.
