“Incident diplomatik”, Abilekaj sulmon Ferit Hoxhën për deklaratën ndaj Italisë: Shqipëria rrezikon të humbasë një aleat strategjik

Data

Analisti Enton Abilekaj ka kritikuar ashpër ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pas deklaratës së tij mbi të ardhmen e marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët, duke e cilësuar atë një “incident diplomatik”.

Në një intervistë televizive, Abilekaj tha se deklarata e ministrit, ku u la të kuptohej se marrëveshja me Italinë mund të mos rinovohet pas përfundimit të afatit, ishte e papjekur dhe jo në përputhje me standardet diplomatike.

Sipas tij, marrëveshjet ndërkombëtare nuk prishen përmes deklaratave publike apo mediave, por përmes negociatave dhe procedurave zyrtare mes shteteve.

“Një diplomat nuk e thotë kurrë jo-në në këtë mënyrë. Nuk bëhen kështu deklarata për marrëveshje të tilla dhe as nuk prishen marrëveshjet nëpërmjet mediave”, u shpreh Abilekaj.

Ai kujtoi se kjo nuk është hera e parë që Ferit Hoxha përfshihet në deklarata të debatueshme, duke përmendur edhe një episod të mëparshëm që lidhej me shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Abilekaj tha se deklarata e ministrit ka shkaktuar zhurmë të madhe në Itali dhe po përdoret nga opozita italiane kundër qeverisë së Giorgia Melonit.

Sipas tij, nëse bëhet fjalë për një ndryshim real të qëndrimit të qeverisë shqiptare ndaj marrëveshjes, kjo mund të dëmtojë marrëdhëniet strategjike me Italinë.

“Humbasim një aleat shumë të rëndësishëm nëse veprohet në këtë mënyrë”, deklaroi ai.

Analisti shtoi se marrëveshja është pesëvjeçare dhe ende ka vite në fuqi, ndërsa Shqipëria nuk pritet të bëhet pjesë e Bashkimit Europian përpara përfundimit të saj.

Ai theksoi gjithashtu se vetë Bashkimi Europian e ka konsideruar modelin Itali-Shqipëri si një shembull për menaxhimin e emigracionit, edhe pse marrëveshja ka hasur kritika të forta për çështjet e të drejtave të njeriut.

Në fund, Abilekaj tha se mbetet për t’u parë nëse deklarata e Hoxhës ishte një gafë personale apo sinjal i një qëndrimi të ri të qeverisë shqiptare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related