Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka akuzuar mazhorancën socialiste për shtypje të zërit të opozitës dhe mungesë transparence në vendimmarrjet e Bashkisë së Tiranës.
Në një intervistë televizive, Teliti deklaroi se këshilltarëve opozitarë u jepen vetëm pak minuta për të diskutuar dhjetëra akte në rendin e ditës, duke e bërë të pamundur debatin normal.
“Sot na janë dhënë vetëm tre minuta për 15 akte. Praktikisht nuk arrin as të lexosh titullin e aktit, jo më të shprehesh për përmbajtjen e tij. Kjo tregon si mazhoranca socialiste, me forcën e kartonit, mundohet t’i mbyllë gojën opozitës”, u shpreh ai.
Sipas Telitit, opozitës i hiqen mikrofonat, audioja dhe videot gjatë mbledhjeve, por ai theksoi se denoncimet do të vijojnë edhe jashtë sallës së këshillit bashkiak.
Ai u ndal edhe te subvencionet për fermerët e Tiranës, duke kujtuar premtimin e bërë nga ish-kryebashkiaku Erion Veliaj për 5 milionë euro mbështetje, ndërsa sipas tij në buxhet janë parashikuar vetëm 300 mijë euro.
“Më shtrenjtë kushton një koncert i organizuar nga Bashkia e Tiranës sesa subvencionet për fermerët. Kemi parë aktivitete që kanë kushtuar 600, 700 apo 800 mijë euro, ndërsa për gjithë fermerët e Tiranës janë parashikuar vetëm 300 mijë euro”, deklaroi Teliti.
Ai akuzoi gjithashtu bashkinë për klientelizëm në shpërndarjen e subvencioneve, duke paralajmëruar se përfitues do të jenë “fermerët patronazhistë”, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet pa mbështetje.
Në vijim, Teliti kritikoi edhe projektvendimin për përdorimin e hapësirave publike në Tiranë, duke thënë se rregullat e reja do të godasin bizneset e vogla të shërbimit.
“Sipas kritereve që kanë vendosur, në treçerekun e rrugëve të Tiranës do të ndalohet vendosja e tavolinave apo shfrytëzimi i hapësirës publike për biznese si bare, restorante apo fast-food-e. Kjo është një goditje e rëndë për biznesin”, tha ai.
Teliti theksoi se opozita do të vazhdojë të denoncojë vendimmarrjet që, sipas saj, bien ndesh me interesin publik dhe parimet e demokracisë vendore.
