Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama në rubrikën “Flasim”, duke e akuzuar se po fsheh kritikat e institucioneve europiane ndaj Shqipërisë.
Në një videomesazh në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se Rama nuk përmendi raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, i cili sipas tij ngre shqetësime për zgjedhjet, korrupsionin dhe procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas Berishës, raporti evidenton probleme si blerja e votës, zhdukja e kufirit mes shtetit dhe partisë në zgjedhje, financimet e paligjshme dhe mungesa e rolit të parlamentit në procesin e integrimit.
Ai deklaroi gjithashtu se në raport kërkohet heqja pa pengesa e imunitetit për zyrtarët e lartë, ndërsa akuzoi Belinda Balluku se vijon të ushtrojë pushtet të plotë në qeveri pavarësisht kritikave për korrupsion.
Berisha përmendi edhe raportin për indeksin e korrupsionit, duke pretenduar se Shqipëria ka pësuar rënie, si dhe kritikoi qeverinë për mënyrën e trajtimit të mediave, minoriteteve dhe varfërisë tek fëmijët.
Në deklaratën e tij, kreu demokrat sulmoi edhe nismën “Ballkani i Hapur”, duke e cilësuar si përpjekje për të minuar procesin e integrimit europian.
Ai akuzoi gjithashtu Ramën për propagandë mediatike dhe manipulim të perceptimit publik lidhur me raportin mes qeverisë dhe mediave në vend.
