Salianji nga Dibra sulmon Berishën: Ka uzurpuar PD-në dhe e ka kthyer në “frëngji” kundër ambasadorëve

Data

Ish-deputeti i Partia Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar një takim me mbështetës dhe demokratë në Peshkopi, ku ka artikuluar kritika të forta ndaj drejtimit aktual të PD-së dhe kreut të saj, Sali Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Salianji deklaroi se Partia Demokratike nuk mund të ecë përpara duke sulmuar aleatët ndërkombëtarë dhe duke u mbyllur ndaj mendimit ndryshe.

“PD nuk mposhtet, nuk uzurpohet dhe nuk ecën dot mbrapsht”, u shpreh ai.

Salianji tha se ka mbështetjen e figurave më të votuara të partisë në disa qarqe të vendit, ndërsa shtoi se përfaqësuesit politikë duhet të zgjidhen nga demokratët dhe jo nga një lidership që, sipas tij, “e ka uzurpuar partinë për interesa personale”.

Ai u ndal edhe te reagimet e fundit të Bashkimi Evropian ndaj deklaratave të Berishës kundër ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

“PD nuk duhet të jetë frëngji ku gjuhen ambasadorët. Qëndrimi nuk ishte i PD-së, por i një njeriu që e ka uzurpuar dhe e mban peng Partinë Demokratike”, deklaroi Salianji.

Ai theksoi se prej muajsh po zhvillon takime me demokratë në të gjithë vendin dhe se ndryshimi brenda PD-së është i domosdoshëm për rikthimin e saj si alternativë qeverisëse.

Sipas tij, Partia Demokratike duhet të rikthehet te vlerat themeluese, të hapet ndaj qytetarëve dhe të ndërtojë partneritete, në vend të politikës së përplasjes dhe izolimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related