Policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar të atentatit me eksploziv ndaj një 57-vjeçari, ngjarje e ndodhur në muajin shkurt në Konispol.
Sipas hetimeve, të dyshuarit janë Griseld Taullaj dhe Xhafer Bajo, ndaj të cilëve Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Ngjarja ka ndodhur më 5 shkurt 2026 në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Urës së Vrinës”, ku dyshohet se autorët kishin vendosur lëndë plasëse në automjetin që drejtohej nga shtetasi M.Gj., 57 vjeç, me qëllim eliminimin e tij.
Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas policisë, operacioni për identifikimin e tyre u realizua nga strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Komisariati i Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë.
Uniformat blu bëjnë me dije se vijon puna intensive për lokalizimin dhe arrestimin e dy personave të shpallur në kërkim, si edhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
