Partia Demokratike do të zhvillojë sot protestën e radhës kombëtare para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, u ka bërë thirrje mbështetësve që t’i bashkohen tubimit të paralajmëruar për në orën 19:00.
Në një prononcim për mediat nga oborri i Kuvendit, Berisha deklaroi se protesta do të jetë një mesazh kundër qeverisë dhe asaj që ai e cilëson “farsë elektorale”.
“Thirrja ime është, nesër çdo shqiptar të paraqitet në protestë. Është kryengritja jonë, është zëri i fuqishëm i shqiptarëve”, deklaroi Berisha, duke refuzuar të japë detaje mbi skenarin e protestës.
Policia merr masa të forta sigurie
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka njoftuar planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës.
Mbi 1 mijë efektivë policie pritet të angazhohen në terren, ndërsa disa akse kryesore në qendër të Tiranës do të bllokohen për qarkullimin e automjeteve.
Sipas policisë:
- Nga ora 23:45 e mbrëmjes së kaluar është ndaluar parkimi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.
- Nga ora 15:00 e ditës së sotme do të bllokohet lëvizja e automjeteve në segmentin nga Ministria e Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Po ashtu do të ketë kufizime edhe në rrugët:
- “Ukraina e Lirë”
- “Papa Gjon Pali II”
- “Ismail Qemali”
Policia u ka bërë thirrje organizatorëve të respektojnë itinerarin dhe afatin kohor të tubimit, ndërsa qytetarëve u kërkohet mirëkuptim për kufizimet në qarkullim dhe të shmangin çdo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike.
