Gazetari Bledian Koka ka reaguar ashpër lidhur me vendimin e unifikuar të Gjykatës së Lartë për masat e sigurisë, duke deklaruar se efektet e para të tij po favorizojnë zyrtarë të lartë të lidhur me pushtetin.
I ftuar në një emision televiziv, Koka tha se përfituesja e parë e këtij interpretimi të ri juridik është Mirlinda Karçanaj, ish-drejtuese e AKSHI-t.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë mund të ndikojë drejtpërdrejt në veprimtarinë e SPAK dhe të krijojë lehtësira për figura të rëndësishme politike.
“Konfirmimi nuk vonoi as tre-katër ditë pas dhënies së këtij vendimi dhe ja ku jemi. Njeriu i parë që përfiton është Karçanaj”, deklaroi Koka.
Gazetari ngriti dyshime edhe mbi mënyrën se si po përdoret drejtësia, duke pretenduar se vendimi favorizon vetëm persona të mbështetur nga kryeministri Edi Rama.
Ai përmendi gjithashtu emrin e Linda Rama, bashkëshortes së kryeministrit, duke pretenduar se Karçanaj mund të kishte dijeni për rolin e saj në AKSHI.
“Është e vetmja që nëse do të fliste, do të tregonte çfarë roli ka pasur Linda Rama në AKSHI”, tha Koka.
Në deklaratën e tij, gazetari përmendi edhe emrin e Armand Frangut, duke pretenduar se disa persona janë përjashtuar nga hetimet e SPAK.
Koka e cilësoi vendimin e Gjykatës së Lartë si një zhvillim që, sipas tij, do të tregojë me kalimin e kohës nëse drejtësia po përdoret në mënyrë selektive për të mbrojtur figura të caktuara politike.
