Tensione dhe debate janë regjistruar në seancën plenare të Kuvendit mes kreut të partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, dhe drejtuesit të seancës, Niko Peleshi.
Shehaj kërkoi 10 minuta kohë për të folur në lidhje me refuzimin e dy kërkesave të tij për interpelancë, njëra lidhur me AKSHI dhe tjetra për çështje që lidhen me Air Albania.
Sipas deputetit, kërkesat e tij ishin refuzuar padrejtësisht dhe ai kishte të drejtë të merrte fjalën në bazë të Rregullores së Kuvendit.
“Kemi marrë përgjigje javën e kaluar për mohimin e dy interpelancave. Kërkoj 10 minuta në bazë të Rregullores”, deklaroi Shehaj gjatë debatit në sallë.
Nga ana tjetër, Peleshi argumentoi se kërkesa për të marrë fjalën duhej të ishte bërë në seancën e parë pas kthimit të përgjigjes negative dhe jo disa javë më vonë.
“Nuk mund ta kërkoni pas një muaji. Rregullorja është e qartë. Duhej ta kërkonit në seancën pasardhëse”, u shpreh Peleshi.
Debati u tensionua më tej kur Shehaj akuzoi drejtuesit e Kuvendit për shkelje të Rregullores dhe pengim të opozitës.
“Mos shkelni Rregulloren dhe të më mohoni të drejtën e fjalës”, tha ai.
Situata në sallë u shoqërua me ndërprerje dhe tone të larta, ndërsa përplasja politike vijoi edhe gjatë diskutimeve të tjera parlamentare.
