Deputeti i Partia Demokratike, Belind Këlliçi, u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 8 maj, duke e cilësuar atë si një moment të rëndësishëm politik dhe qytetar për vendin.
Gjatë një takimi në “Foltoren” e zhvilluar në njësinë nr. 5 në Tiranë, Këlliçi kritikoi qeverinë për situatën ekonomike dhe sociale, duke përmendur largimin e të rinjve nga vendi, rritjen e kostos së jetesës dhe nivelin e ulët të pagave.
Sipas tij, protesta e 8 majit nuk duhet parë si një aktivitet partiak, por si një reagim qytetar ndaj problemeve që prekin përditshmërinë e shqiptarëve.
Në fjalën e tij, Këlliçi vlerësoi edhe rolin e Sali Berisha dhe të Partisë Demokratike në opozitë, duke theksuar “qëndresën” e saj ndër vite.
Deputeti iu referua gjithashtu zhvillimeve ndërkombëtare dhe takimeve të fundit në Zagreb me përfaqësues të partive të djathta europiane, ku sipas tij është shprehur mbështetje për PD-në dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Gjatë deklaratës, Këlliçi përmendi edhe raportet dhe rezolutat europiane për Shqipërinë, duke akuzuar qeverinë për manipulim zgjedhor dhe ndërhyrje në drejtësi.
“Na takon ne t’i marrim fatet tona në dorë,” u shpreh ai, duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve.
Në fund të fjalës së tij, ai ftoi qytetarët të marrin pjesë në protestën para Kryeministrisë, duke e konsideruar atë si një moment për të kërkuar ndryshim politik dhe integrim europian për vendin.
