Pas aksidentit tragjik që u mori jetën dy të miturve në Durrës, Hita shkarkon drejtorin e Policisë Afrim Tafa

Data

Pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, drejtori i Përgjithshëm i Policia e Shtetit, Hysni Hita, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e Policisë së Durrësit, Afrim Tafa.

Sipas burimeve zyrtare, arsyeja e shkarkimit është performanca e dobët në drejtimin e strukturës policore.

Afrim Tafa ishte pezulluar nga detyra dy ditë më parë, menjëherë pas aksidentit të rëndë ku 57-vjeçari Nikollë Radaçi, i dyshuar se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, përplasi për vdekje dy fëmijë dhe plagosi një tjetër.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta publike dhe protesta nga qytetarët në Durrës, të cilët kanë kërkuar më shumë siguri rrugore dhe përgjegjësi institucionale.

Në kuadër të masave të ndërmarra pas aksidentit, Policia e Shtetit njoftoi sot rikthimin e patrullave në terren për kontrollin dhe ndalimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Vendimi vjen vetëm pak javë pasi, më 10 prill, vetë Hita kishte urdhëruar reduktimin e ndalimeve nga patrullat në akset interurbane dhe orientimin e monitorimit përmes pajisjeve teknologjike.

Afrim Tafa kishte drejtuar Policinë e Durrësit për rreth tre muaj e gjysmë, pasi ishte emëruar në detyrë nga ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related