Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për Nikoll Radaçin, drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 4 majit në lagjen nr.15, ku tre fëmijë po luanin me top në trotuar. Sipas hetimeve paraprake, 57-vjeçari po drejtonte automjetin në gjendje të dehur kur humbi kontrollin dhe i përplasi të miturit.
Si pasojë e përplasjes, dy prej fëmijëve, të moshës 10 dhe 12 vjeç, ndërruan jetë, ndërsa një 8-vjeçar arriti të mbijetojë, por ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Radaçi nuk ishte i panjohur për autoritetet, pasi ishte denoncuar disa herë nga banorët e zonës për sjellje të rrezikshme në drejtim dhe ishte ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Tragjedia ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe debat politik, ndërsa janë shtuar thirrjet për masa më të ashpra ndaj shkelësve të Kodit Rrugor dhe për rritjen e përgjegjësisë së institucioneve në parandalimin e rasteve të tilla.
