Autori i aksidentit tragjik në Durrës, Nikollë Radaçi, është paraqitur sot në gjykatë, ku pritet t’i komunikohet masa e sigurisë për ngjarjen e rëndë që tronditi opinionin publik.
Sipas pamjeve të siguruara nga seanca, 57-vjeçari shihet kokëulur dhe i heshtur brenda kafazit të xhamtë, teksa përballet me drejtësinë për aksidentin fatal të ndodhur më 4 maj në lagjen nr.15.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së dielës, kur tre fëmijë po luanin në trotuar dhe automjeti i drejtuar nga Radaçi, në gjendje të dehur, doli jashtë kontrollit duke i përplasur. Si pasojë, dy prej tyre, të moshës 10 dhe 12 vjeç, humbën jetën, ndërsa një tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë.
Radaçi ishte një emër i njohur për autoritetet, pasi më herët ishte denoncuar nga banorët për drejtim të rrezikshëm dhe ishte ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe debat politik, ndërsa në Kuvend është kërkuar ashpërsimi i masave në Kodin Rrugor për të parandaluar tragjedi të tilla në të ardhmen.
