Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ashpër në Kuvend pas aksidentit tragjik në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë, duke kërkuar ndryshime të menjëhershme në Kodin Penal.
Në fjalën e tij, Braçe e cilësoi ngjarjen jo si aksident, por si një krim të rëndë që duhet të trajtohet si “vrasje me dashje”. Ai theksoi se ligji aktual, sipas tij, e “normalizon” këtë fenomen dhe nuk arrin të ndëshkojë në mënyrë efektive drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në gjendje të dehur.
“Një i dehur që hipën në makinë dhe del në rrugë, për mua futet për të vrarë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se këto raste nuk mund të konsiderohen më thjesht si shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Braçe kritikoi ashpër mënyrën se si trajtohen aktualisht këto raste, duke theksuar se shpesh drejtuesit e dehur ndalohen, qëndrojnë për pak kohë në paraburgim dhe më pas procedohen në gjendje të lirë, ndërsa ndëshkimet administrative mbeten minimale.
Sipas tij, sistemi aktual krijon një “moral të gabuar”, ku shkelësit ndihen të pandëshkueshëm dhe mund të përsërisin të njëjtin veprim, shpesh duke paguar vetëm gjoba apo duke humbur disa pikë nga patenta.
Deputeti bëri thirrje për një riformulim të qartë të dispozitave penale, në mënyrë që drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, sidomos kur shkakton pasoja të rënda, të klasifikohet si vepër penale më e rëndë dhe të ndëshkohet proporcionalisht.
Reagimi i tij vjen në një klimë të fortë emocionale dhe politike pas tragjedisë që ka tronditur opinionin publik, ndërsa kërkesat për masa më të ashpra ligjore dhe zbatim më rigoroz të tyre po shtohen.
