Dosja e lobimit të LSI-së në SHBA ka rikthyer përplasjet mes ish-drejtuesve të kësaj force politike, ndërsa Monika Kryemadhi ka mohuar çdo përfshirje direkte të Ilir Meta në firmat apo pagesat e kryera.
Në një deklaratë publike, Kryemadhi tha se kompania e lobimit është sjellë prej saj, ndërsa kontrata është firmosur nga Petrit Vasili. Sipas saj, faturat janë administruar nga Luan Rama, ndërsa procesi është ndjekur edhe nga Endrit Braimllari.
Ajo këmbënguli se në dosje nuk ka asnjë firmë, llogari bankare apo mesazh që të lidhë Metën me pagesa të paligjshme. Kryemadhi shtoi se origjina e parave lidhej me llogarinë e partisë dhe se kontratat e lobimit janë proceduar në rrugë institucionale.
Nga ana tjetër, edhe Meta më herët ka mohuar përgjegjësinë personale, duke kërkuar që hetimet të fokusohen te personat që kanë firmosur apo ndjekur kontratat. Ai ka përmendur ish-funksionarë të LSI-së, duke pretenduar se veprimet janë kryer pa dijeninë e tij.
Sipas të dhënave nga dosja e SPAK, disa nga ish-zyrtarët janë pyetur për pagesa dhe kontrata të lidhura me kompani lobimi në SHBA. Në dokumente përmenden transaksione dhe autorizime që prokuroria po i verifikon në kuadër të hetimeve.
Çështja mbetet ende nën hetim, ndërsa palët vijojnë të hedhin përgjegjësinë te njëra-tjetra. Deri në një vendim të formës së prerë, çdo person i përmendur në këtë dosje prezumohet i pafajshëm.
