Hetimi ndërkombëtar i SPAK dhe FBI zbardh rrjetin kriminal “RYDOX”, kërkohen 6 vite burg për Shpend Sokoli

Data

Një hetim i përbashkët mes SPAK dhe FBI ka çuar në kërkesën për dënim me 6 vite burg ndaj Shpend Sokoli, i akuzuar për përfshirje në një rrjet të sofistikuar krimi kibernetik.

Sipas prokurorisë, Sokoli dyshohet se ka qenë pjesë e platformës së paligjshme online “RYDOX”, një treg i nëndheshëm që operonte prej vitit 2016 dhe që ofronte të dhëna të vjedhura, mjete për spam dhe udhëzime për aktivitete kriminale në internet.

Hetimet zbuluan se në databazën e këtij rrjeti përfshiheshin të dhëna për rreth 18 mijë përdorues, si dhe mijëra transaksione virtuale të lidhura me shitjen e produkteve të krimit kibernetik. Në total, sipas autoriteteve, platforma kishte ofruar mbi 321 mijë produkte të paligjshme.

Platforma “RYDOX” ishte e lidhur edhe me forume kriminale si RaidForums, ku përdoruesit mund të blinin lista emailesh, të dhëna personale dhe mjete për shpërndarjen masive të tyre.

Në këtë çështje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, të cilët janë ekstraduar drejt Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të përballen me drejtësinë amerikane.

Nga ana e tij, Shpend Sokoli ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ka punuar vetëm si programues dhe nuk ka pasur akses në platformën “RYDOX” apo në transaksionet e saj. Ai këmbëngul se nuk ka lidhje me aktivitetet kriminale dhe se është përfshirë pa dijeni në këtë çështje.

SPAK thekson se hetimi është zhvilluar me mbështetjen e zyrës së FBI në Pittsburgh, duke dëshmuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit kibernetik.

Çështja “RYDOX” konsiderohet një nga rastet më të rëndësishme të viteve të fundit në rajon për sa i përket mashtrimeve online dhe rrjeteve të organizuara që operojnë në internet, duke vënë në dukje rritjen e rrezikut nga krimet digjitale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related