Ambasadorja e SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, ka reaguar publikisht pas vizitës së saj në Tiranë dhe takimit me kryeministrin Edi Rama, duke vënë theksin te rëndësia strategjike e bashkëpunimit energjetik në rajon.
Në një postim në rrjetin social X, Guilfoyle bëri të ditur se vizita e saj lidhet me avancimin e një marrëveshjeje të rëndësishme në sektorin e energjisë, e cila përfshin furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga SHBA.
Marrëveshja është nënshkruar mes Shqipërisë dhe kompanive Venture Global dhe Aktor LNG USA, dhe parashikon një kontratë 20-vjeçare me një vlerë të përgjithshme rreth 6 miliardë dollarë.
Sipas ambasadores, ky investim pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e sigurisë energjetike dhe asaj kombëtare në rajon. Ajo theksoi gjithashtu rolin e zyrtarëve amerikanë në këtë iniciativë, përfshirë Doug Burgum dhe Chris Wright, si dhe kontributin e strukturave strategjike amerikane për energjinë.
Në përfundim të mesazhit të saj, Guilfoyle nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit trepalësh:
“Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon bëhet më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë.”
Kjo marrëveshje konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e rolit të Shqipërisë në hartën energjetike të rajonit dhe në thellimin e bashkëpunimit me aleatët strategjikë.
