Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për mobilizim qytetar në protestën e paralajmëruar më 8 maj, gjatë fjalës së tij në “Foltoren” para Kryeministrisë.
Sipas tij, kryeministri Edi Rama ndodhet në një moment të vështirë politik dhe “e ndjen fundin”, duke shtuar se vendimet e qeverisë janë në dëm të qytetarëve shqiptarë.
“Edi Rama e ndjen, ka një panik të madh dhe kërkon mbrojtje. Por qytetarët nuk mashtrohen më,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se situata ekonomike është përkeqësuar, duke përmendur rritjen e çmimeve dhe vështirësitë për jetesë, ndërsa e cilësoi të ardhmen në vend si të pasigurt për shumë familje.
Berisha akuzoi gjithashtu se kryeministri mbahet në pushtet vetëm nga mbështetje të paligjshme, ndërsa e konsideroi opozitën “më të fortë se kurrë”.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e 8 majit, duke e cilësuar atë si një moment vendimtar për vendin dhe për rivendosjen e votës së lirë dhe demokracisë.
