CNN zbulon prapaskenat/ Si u kthye darka në Washington Hilton në kaos pas të shtënave ku ishte Donald Trump

Data

Detaje tronditëse janë zbuluar nga CNN mbi momentet dramatike që shndërruan një nga eventet më prestigjioze në SHBA në një skenë paniku dhe frike.

Ngjarja ndodhi gjatë White House Correspondents’ Dinner në ambientet e Washington Hilton, ku i pranishëm ishte edhe presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania Trump.

Sipas raportimit, ndërsa brenda sallës atmosfera ishte festive, jashtë një person i armatosur depërtoi përmes një pike kontrolli sigurie dhe u përball me agjentët e United States Secret Service. Brenda pak sekondash, ai u neutralizua, por të shtënat shkaktuan panik të menjëhershëm.

Brenda sallës, fillimisht askush nuk e kuptoi çfarë po ndodhte. Vetë Trump mendoi se bëhej fjalë për një zhurmë të zakonshme, por situata ndryshoi kur agjentët e armatosur hynë me shpejtësi dhe urdhëruan të gjithë të shtriheshin në tokë.

Të pranishmit – mes tyre gazetarë, politikanë dhe figura publike – u fshehën nën tavolina dhe karrige, ndërsa presidenti u rrethua nga truprojat dhe u evakuua drejt një zone të sigurt. Në momentet e evakuimit, raportohet se ai u pengua për një çast, përpara se të largohej bashkë me bashkëshorten.

Ndërkohë, gazetari i njohur Wolf Blitzer përjetoi nga afër momentet e frikës, duke qenë jashtë sallës kur dëgjoi të shtënat. Ai tregoi se u hodh përtokë nga një oficer policie dhe u strehuan në një ambient të mbyllur së bashku me persona të tjerë.

Autori i dyshuar, i identifikuar si Cole Thomas Allen, ishte i armatosur me disa armë dhe dyshohet se veproi i vetëm. Një agjent i Shërbimit Sekret u plagos gjatë përplasjes, por shpëtoi falë jelekut antiplumb.

Brenda sallës, pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, mbizotëroi heshtja dhe pasiguria, ndërsa zyrtarët u nxorën me radhë nga ambienti. Eventi u ndërpre, pavarësisht dëshirës fillestare për ta vijuar.

Incidenti ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në eventet e nivelit të lartë në Washington, D.C., ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related