Sali Berisha thirrje për protestë kombëtare më 8 maj në Tiranë: “Kryengritje paqësore kundër Edi Ramës”

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur datën 8 maj si ditën e një proteste të madhe kombëtare në Tiranë, duke u bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në atë që ai e cilësoi si “kryengritjen më të fuqishme paqësore”.

Në një konferencë për mediat, Berisha u shpreh se kjo protestë duhet të kapërcejë ndasitë politike dhe të bashkojë shqiptarët kundër qeverisë së drejtuar nga Edi Rama. Sipas tij, situata në vend është e rëndë dhe kërkon reagim të gjerë qytetar.

Gjatë deklaratës, ai hodhi akuza të forta për korrupsion dhe ndërhyrje në sistemin e drejtësisë, duke përmendur edhe çështjen e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku. Berisha pretendoi se qeveria ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera.

Një pjesë e madhe e fjalës së tij iu kushtua edhe skandalit të AKSHI-t, të cilin e cilësoi si një nga aferat më të mëdha në vend. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin dhe rrethin e tij për përfitime të paligjshme përmes tenderëve të teknologjisë dhe manipulimeve me pronat.

Berisha deklaroi se centralizimi i prokurimeve në fushën e IT në një institucion të vetëm ka krijuar terren për abuzime, ndërsa pretendoi se janë tjetërsuar mijëra prona dhe manipuluar dokumente zyrtare.

Në fund, ai përjashtoi çdo mundësi për marrëveshje politike me qeverinë, përveç reformave të kërkuara nga partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se protesta e 8 majit do të jetë një moment kyç për reagimin qytetar në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related