Kryeministri i Maqedonia e Veriut, Hristijan Mickoski, ka konfirmuar rritjen rekord të konsumit të karburantit në vend, duke theksuar se kjo lidhet drejtpërdrejt me fluksin e qytetarëve nga vendet fqinje, përfshirë Shqipërinë.
Sipas tij, konsumi ditor i naftës ka kaluar shifrën e 2 milionë litrave, ndërsa rritja është mbi 40% krahasuar me periudhën para krizës.
“Disa qytetarë nga vendet fqinje vijnë për t’u furnizuar me karburant, sidomos në zonat kufitare. Presioni është më i madh në kufijtë veriorë, jugorë dhe perëndimorë,” u shpreh Mickoski.
Të dhënat zyrtare tregojnë se qytetarë nga Shqipëria dhe Greqia blejnë çdo ditë rreth 200–300 mijë litra karburant në Maqedoninë e Veriut.
Arsyeja kryesore mbetet diferenca e ndjeshme e çmimeve. Aktualisht, një litër benzinë në Maqedoninë e Veriut varion nga 1.27 deri në 1.31 euro, ndërsa në Shqipëri dhe Greqi çmimet janë mbi 2 euro për litër.
Kjo diferencë prej rreth 70–80 cent për litër ka nxitur një fenomen të blerjeve ndërkufitare, veçanërisht nga qytetarët shqiptarë.
Pavarësisht rritjes së kërkesës, Mickoski theksoi se nuk ka arsye për ndërhyrje nga qeveria, pasi furnizimi me karburant mbetet i qëndrueshëm dhe nuk ka rrezik për mungesa.
Politikat e ndjekura nga Maqedonia e Veriut për të kontrolluar çmimet kanë bërë që vendi të ofrojë aktualisht një nga çmimet më konkurruese të karburantit në rajon.
