Qytetarja denoncon trajtimin e personave me aftësi të kufizuara në transportin publik në Tiranë

Data

Një qytetare ka ngritur shqetësim serioz për mënyrën se si trajtohen personat me aftësi të kufizuara në transportin publik në Tirana, duke denoncuar mungesë respekti dhe sjellje të papërshtatshme nga ana e stafit të autobusëve.

Në një prononcim për mediat, ajo tregoi se shpeshherë shoferët nuk ndalojnë në stacione kur e shohin, ndërsa faturinot nuk ofrojnë asnjë ndihmë për të hipur apo për t’u sistemuar në autobus, edhe pse ekzistojnë hapësira të dedikuara për persona me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e infrastrukturës, si platforma për hipje, por mbi të gjitha me mungesën e sjelljes njerëzore dhe vëmendjes ndaj kësaj kategorie. Ajo u shpreh e prekur nga një rast konkret, ku një faturino i kishte thënë “merr taksi po deshe”, duke e konsideruar këtë si ofendim.

Qytetarja theksoi se situata përsëritet në disa linja urbane, veçanërisht në zonat që lidhen me Saukun, dhe se shpesh detyrohet të mos përdorë transportin publik për shkak të vështirësive që has.

Ajo u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë, duke kërkuar trajnime dhe udhëzime më të qarta për punonjësit e transportit publik, në mënyrë që të garantohet trajtim dinjitoz dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas saj, megjithëse janë bërë përmirësime në infrastrukturë, mungesa e empatisë dhe respektit mbetet një problem i madh që duhet adresuar urgjentisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related