Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka ndërmarrë një valë të gjerë ndryshimesh në strukturat e policisë në të gjithë vendin, duke firmosur rreth 40 emërime dhe transferime vetëm në ditët e para të detyrës.
Ky riorganizim përfshin poste kyçe nga niveli drejtues deri te strukturat operative, me synimin për të rritur efikasitetin dhe për të forcuar luftën kundër kriminalitetit.
Ndër emërimet kryesore, Erion Ahmeti është komanduar drejtor i Policisë në Fier, ndërsa Andi Banushi është caktuar zëvendësdrejtor në Elbasan. Në të njëjtën kohë, Krenar Guçe është transferuar si shef rendi në Përmet.
Ndryshime të rëndësishme janë bërë edhe në drejtimin e komisariateve: Gerald Toska ka marrë drejtimin e Komisariatit të Fierit, ndërsa Erdit Rreçeku është vendosur në krye të Komisariatit të Peqinit.
Në sektorin e hetimit të krimit, janë emëruar Dritan Muça si zëvendësdrejtor në Vlorë dhe Dritan Malaj në Berat, ndërsa Petrit Halo dhe Arben Nasufi kanë marrë poste drejtuese respektivisht në Shkodër dhe Lezhë.
Një zhvillim i veçantë është edhe emërimi i Islor Islamit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, në sektorin e mbështetjes hetimore të krimit të organizuar.
Ndërkohë, në Policinë Rrugore në Tiranë janë angazhuar Lusjan Zeqaj dhe Jetnor Shira, ndërsa Ermal Zaimi është caktuar komandant i linjave të trafikut urban.
Paralelisht me këto lëvizje, Klevis Qose është emëruar në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore nga ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, duke zëvendësuar Eduart Merkajn.
Këto ndryshime sinjalizojnë një riorganizim të thellë në Policinë e Shtetit, ndërsa mbetet për t’u parë ndikimi i tyre në performancën dhe sigurinë publike në vijim.
