11 milionë euro, verëra luksoze dhe kërcënime për tenderët e AKSHI-t/

Data

Detaje të reja nga dosja hetimore e AKSHI-t hedhin dritë mbi një skemë të dyshuar korrupsioni, pastrimi parash dhe manipulimi tenderësh, ku sipas hetimeve të SPAK, miliona euro kanë kaluar në llogari kompanish të lidhura me persona nën hetim, ndërsa një pjesë e përfitimeve dyshohet se janë maskuar përmes faturave fiktive, kontratave shërbimesh dhe përdorimit të prestanomeve.

Në qendër të kësaj skeme, sipas hetuesve, qëndron kompania “EA Solution” e Ergys Agasit, në llogaritë e së cilës rezulton të jenë transferuar mbi 1.05 miliardë lekë dhe rreth 470 mijë euro nga kompani të ndryshme të lidhura me tenderët e AKSHI-t. Sipas dosjes, këto pagesa janë paraqitur zyrtarisht si pagesa për shërbime të ndryshme, por dyshohet se në të vërtetë kanë qenë shpërblime për ndikimin e ushtruar në fitimin e procedurave publike. Hetuesit pretendojnë se “EA Solution” nuk dispononte as kapacitetet njerëzore dhe as teknologjike për të realizuar realisht shërbimet e faturuara, çka forcon dyshimin se shoqëria është përdorur si mjet për kalimin dhe legalizimin e ryshfetit.

Një nga episodet më të forta të përshkruara në dosje lidhet me kompaninë AESS shpk dhe një pagesë prej rreth 1.1 milion eurosh, që sipas SPAK kaloi drejt “EA Solution” pas presioneve të ushtruara nga Ermal Beqiri. Sipas dëshmisë së administratores Migena Schroeder, fillimisht asaj i ishte sugjeruar nga ish-zv/drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, që të përfshihej në projektin “SmartLab 2”, duke i bërë të qartë se fituesi i procedurës ishte paracaktuar. Më vonë, sipas saj, iu tha se çështjet në AKSHI tashmë i kishte marrë në dorë “Gysi”, referencë që sipas hetimeve lidhet me Ergys Agasin. Schroeder ka dëshmuar se, pas takimeve dhe kontakteve të mëtejshme, përfshirë edhe një takim me Ermal Beqirin, iu bë e qartë se një pjesë e fitimit duhej t’i kalonte “EA Solution” përmes një kontrate shërbimi. Ajo pretendon se ka vepruar nën presion, pasi i ishte thënë se kishte hyrë “në një pishinë peshkaqenësh” dhe se ato para “nuk ishin të sajat”.

Në vijim të kësaj skeme, sipas dosjes, AESS ka lëshuar më 13 shkurt 2024 një faturë në vlerën 100.840.264 lekë për “EA Solution”, të justifikuar me projektim, konsulencë dhe trajnim në fushën e teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit. Për hetuesit, kjo pagesë përbën një nga rastet më të qarta të dokumentuara të kalimit të ryshfetit nëpërmjet faturimit formal.

SPAK pretendon se përmes të njëjtit mekanizëm, “EA Solution” ka përfituar edhe mbi 9 milionë euro të tjera nga kompani si “Soft & Solution”, “Fastech” dhe “First”, të cilat dyshohet se janë favorizuar në procedurat e AKSHI-t. Sipas dosjes, vetëm nga këto subjekte janë transferuar në total 855.204.527 lekë dhe 470.441 euro. Hetuesit dyshojnë se këto pagesa janë bërë si shpërblim për ndikimin e ushtruar në tenderë dhe jo për shërbime reale tregtare.

Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është kantina me verëra të shtrenjta e zbuluar në vilën e Agasit në Equos Resort, me një vlerë që sipas dosjes kalon 950 mijë euro. Edhe këto dyshohet se janë pjesë e përfitimeve të ardhura si rezultat i skemës së korrupsionit të dyshuar.

Ndërkohë, hetimet kanë zbardhur edhe mënyrën se si, sipas SPAK, ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj ka përdorur prestanome për të fshehur pasuri të paluajtshme. Një nga rastet lidhet me një apartament duplex në Qerret të Kavajës, i cili përdorej prej saj, por figuronte në emër të Ram Bashës. Ky i fundit, sipas dëshmisë së administruar në dosje, ka deklaruar se nuk kishte qenë kurrë në Durrës apo në Qerret, nuk njihte as shitësen dhe as noterin, dhe nuk mbante mend rrethanat e blerjes së banesës, përveç faktit se paratë i kishte marrë borxh në cash. Për prokurorët, kjo dëshmi përforcon dyshimin se ai është përdorur si prestanome, ndërsa prona është përdorur realisht nga Karçanaj.

Në dosjen e zgjeruar hetimore janë shtuar edhe emra të tjerë personash dhe kompanish, përfshirë Daniel Shimën, Arjola Koromanin, Gentian Likajn, Emirton Sulin dhe Elision Jorgjin, ndërsa ndaj disa prej tyre janë shtuar edhe akuza për korrupsion dhe pastrim parash. Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dhjetëra pronave, llogarive bankare, mjeteve luksoze dhe aseteve të tjera me vlerë të përbashkët rreth 40 milionë euro.

Sipas njoftimit zyrtar, vetëm Ergys Agasit i janë sekuestruar 29 pasuri, përfshirë vila, apartamente, sipërfaqe toke, llogari bankare dhe kompania “EA Solution”, ndërsa Ermal Beqirit i janë sekuestruar prona të paluajtshme, një jaht luksoz, subjekte tregtare dhe llogari bankare. Edhe ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, rezulton mes personave ndaj të cilëve janë sekuestruar pasuri, përfshirë apartamente, një automjet dhe llogari bankare.

Hetimet paraprake të SPAK përfshijnë akuza për konkurrencë të paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv të funksionarëve publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Çdo person i përmendur në këtë çështje prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related