Zgjedhjet e zhvilluara nga Partia Demokratike e Shqipërisë për drejtuesit e degëve lokale janë shoqëruar me polemika, pasi në degën e Kurbinit janë evidentuar mospërputhje të theksuara në shifrat e votimit.
Sipas të dhënave nga procesverbali, në këtë degë janë regjistruar 784 votues që kanë marrë pjesë në proces. Megjithatë, në kutitë e votimit janë gjetur rreth 1500 fletë votimi, një diferencë që ka ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si është administruar procesi zgjedhor.
Në rezultatet zyrtare, fitues është shpallur Edmond Shkoza me 517 vota, ndërsa kandidati tjetër, Vilson Bitraj, ka marrë 249 vota.
Mospërputhja mes numrit të votuesve dhe fletëve të votimit ka sjellë reagime dhe pikëpyetje mbi integritetin e procesit, ndërsa nuk është ende e qartë nëse bëhet fjalë për gabime në numërim apo për parregullsi më të thella.
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga strukturat drejtuese të partisë për këtë situatë, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë verifikim apo rivlerësim të procesit në këtë degë.
