Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur këtë të fundit me aktivitetin e karteleve të drogës.
Në deklaratën e tij, Berisha pretendoi se Rama ndikohet dhe drejtohet nga këto grupe kriminale, duke shtuar se vendimmarrja në vend, sipas tij, është e diktuar nga interesa të paligjshme.
Ai u shpreh se Shqipëria është kthyer në një territor ku ndërtimi dhe zhvillimi ekonomik lidhen me paratë e drogës, ndërsa kryeministri, sipas tij, përfiton shuma të mëdha financiare nga kjo situatë.
“Edi Rama diktohet nga kartelet e drogës dhe është skllav i tyre. Zbaton vetëm urdhrat e tyre dhe është përfitues i qindra milionë eurove,” deklaroi Berisha.
Këto deklarata janë pjesë e përplasjes së vazhdueshme politike mes opozitës dhe qeverisë, ndërkohë që nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Edi Rama lidhur me akuzat e fundit.
