Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet ndaj drejtuesve të mazhorancës, duke sulmuar drejtpërdrejt kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Në deklaratën e tij, Berisha e cilësoi Ballën si “kriminelin më të rrezikshëm në Parlament”, duke e renditur atë pas kryeministrit Edi Rama dhe ish-zv/kryeministres Belinda Balluku në listën e akuzave të tij politike.
Ai shkoi më tej duke pretenduar se Balla është akuzuar për përfshirje në çështje të rënda kriminale, përfshirë edhe porositje vrasjesh, duke iu referuar, sipas tij, regjistrimeve telefonike që pretendohet se janë shkatërruar më pas me vendim të institucioneve të drejtësisë.
Në vijim, Berisha përmendi edhe emrin e Mario Çela, duke pretenduar se ekzistojnë biseda telefonike mes tij dhe Ballës, ku flitet për marrëveshje që lidhen me situata kriminale dhe ndikim në procese zgjedhore në qytetin e Elbasanit.
Deklaratat e liderit të opozitës janë pjesë e retorikës së fortë politike mes palëve, ndërsa deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Taulant Balla lidhur me këto akuza.
