Adonis Georgiadis reagon për vdekjen e 19-vjeçares shqiptare në Kefalonia: Ndihma mjekësore u dha menjëherë, hetimet vijojnë për shkaqet

Data

Ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, ka reaguar pas vdekjes tragjike të një 19-vjeçareje me origjinë shqiptare në Kefalonia, duke mohuar pretendimet për mungesë të stafit mjekësor në momentet kritike.

Sipas informacioneve zyrtare, e reja u gjet pa ndjenja në një park në qytetin Argostoli dhe u transportua me urgjencë në spital në gjendje shumë të rëndë. Ajo ishte braktisur më herët në vendngjarje nga tre persona të dyshuar, ndërsa rasti tashmë është nën hetim nga autoritetet shëndetësore dhe ligjzbatuese greke.

Në spital, mjekët ndërhynë menjëherë duke kryer reanimim kardiopulmonar për rreth një orë, si dhe procedura të tjera urgjente si intubimi dhe trajtimi me medikamente. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve intensive, 19-vjeçarja nuk arriti të mbijetojë dhe u konstatua arrest kardiak.

Ministri Georgiadis theksoi se stafi mjekësor reagoi në kohë, duke bërë të ditur se kardiologu mbërriti brenda pak minutash dhe anesteziologu menjëherë më pas, në përputhje me protokollet emergjente.

Ndërkohë, ekzaminimi paraprak mjeko-ligjor ka evidentuar edemë pulmonare, ndërsa analizat toksikologjike dhe histologjike pritet të japin përgjigje përfundimtare mbi shkakun e vdekjes. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related