Hero pa uniformë në zjarrin pranë QSUT, zjarrfikësi Marsel Troshku ndërhyn edhe pse ishte pushim: “Isha me fëmijët kur më njoftuan”

Data

Mes kaosit dhe panikut të krijuar nga zjarri i fuqishëm në kompleksin “Arlis” pranë QSUT në Tiranë, një histori e veçantë ka dalë në pah, ajo e një zjarrfikësi që ndërhyri pa uniformë për të ndihmuar në shuarjen e flakëve.

Bëhet fjalë për Marsel Troshku, i cili, edhe pse ishte ditë pushimi, u paraqit menjëherë në vendngjarje për të kontribuar në operacionin e emergjencës. I veshur thjesht me atlete sportive dhe një kokore mbrojtëse, ai ka qëndruar për orë të tëra pranë vatrës së zjarrit, duke ndihmuar kolegët e tij.

Vetë Troshku ka treguar se në momentin kur kishte rënë zjarri, ndodhej në shtëpi me fëmijët e tij, por sapo u njoftua për situatën, vendosi të shkonte menjëherë për të dhënë ndihmën e tij.

“Kam qenë pushim sot. Në momentin që ra zjarri isha me fëmijët, më lajmëruan dhe shkova për të ndihmuar kolegët dhe për të bërë punën,” u shpreh ai.

Prania e tij në terren, pavarësisht se nuk ishte në detyrë, është vlerësuar nga qytetarët si një akt i jashtëzakonshëm përkushtimi dhe profesionalizmi, në një nga situatat më të vështira të ditës në kryeqytet.

Ngjarja ka nxjerrë në pah jo vetëm rreziqet e ndërtesave dhe emergjencave urbane, por edhe rolin jetik të zjarrfikësve, të cilët shpesh vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related