Zhvillime të reja kanë dalë në dritë lidhur me goditjen e tre Call Center-ave në Tiranë, ku hetuesit kanë identifikuar personin që dyshohet se qëndron në krye të skemës së mashtrimit.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për Granit Pepnikën nga Tropoja, i cili dyshohet se është organizatori kryesor i aktivitetit kriminal që përfshinte zhvatjen e qytetarëve evropianë përmes skemave mashtruese online.
Hetimet paraprake tregojnë se Pepnika nuk ka qenë i përfshirë vetëm në tre Call Center-at e goditur së fundmi, por dyshohet të ketë drejtuar një rrjet më të gjerë aktivitetesh të ngjashme në Tiranë. Ky rrjet besohet se ka funksionuar për një periudhë të gjatë, duke përfituar shuma të konsiderueshme parash.
Sipas të dhënave, dëmi i shkaktuar nga kjo skemë mashtrimi llogaritet në rreth 50 milionë euro, duke e bërë atë një nga rastet më të mëdha të këtij lloji të zbuluara në vend.
Ndërkohë, pritet që Prokuroria të ndërmarrë hapat e radhës ligjorë, përfshirë firmosjen e një urdhër-arresti ndaj të dyshuarit kryesor, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
