Presidenti amerikan Donald Trump ka zbuluar detaje të reja nga prapaskenat e negociatave me Iran, duke deklaruar se administrata e tij ka marrë një telefonatë direkte nga Teherani, që sipas tij tregon interesin e palës iraniane për të arritur një marrëveshje.
Duke folur për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Trump theksoi se pavarësisht tensioneve dhe vendosjes së një bllokade detare nga Shtetet e Bashkuara, pala iraniane po kërkon vazhdimin e dialogut. “Ata do të donin shumë të bënin një marrëveshje… madje na telefonuan këtë mëngjes”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas presidentit amerikan, pengesa kryesore mbetet programi bërthamor i Iranit. Trump e bëri të qartë se kjo është një vijë e kuqe për Uashingtonin: “Irani nuk do të ketë armë bërthamore”.
Ai shtoi se gjatë bisedimeve janë arritur dakordësi për disa çështje, por mosmarrëveshja për programin bërthamor ka bllokuar marrëveshjen përfundimtare. “Nëse nuk bien dakord për këtë, nuk ka marrëveshje”, paralajmëroi ai.
Trump u shpreh gjithashtu i vendosur për të rimarrë uraniumin e pasuruar që ndodhet në zotërim të Iranit, duke deklaruar se SHBA do ta sigurojë atë “me marrëveshje ose me mënyra të tjera”.
Në deklaratën e tij, presidenti amerikan vlerësoi edhe rolin e ekipit negociator, duke përmendur zëvendëspresidentin JD Vance, si dhe të dërguarit diplomatikë, për përpjekjet në bisedimet që u zhvilluan në Pakistan, të cilat megjithatë nuk prodhuan një rezultat konkret.
Pavarësisht retorikës së ashpër dhe tensioneve në rritje, deklaratat e fundit sugjerojnë se kanalet diplomatike mbeten të hapura dhe se ekziston ende mundësia për një marrëveshje, nëse palët arrijnë të kapërcejnë ndasitë mbi çështjen bërthamore.
