Një operacion policor i koduar “Hijet” ka çuar në zbardhjen e një rasti të rëndë rrëmbimi dhe dhune për qëllime përfitimi financiar në Tiranë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur më 31 mars 2026, kur tre persona dyshohet se kanë marrë me forcë një 32-vjeçar, duke e transportuar në një ambient privat në zonën e Xhafzotajt. Aty, viktima është mbajtur për disa orë nën kërcënim dhe dhunë fizike, me qëllim për t’i marrë një shumë parash.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, nën drejtimin e Prokurorisë, pas kallëzimit të bërë nga i dëmtuari.
Në kuadër të ndërhyrjes policore janë arrestuar dy prej autorëve të dyshuar, shtetasit H. N., 33 vjeç dhe K. N., 25 vjeç, ndërsa një tjetër person, J. N., 28 vjeç, banues në Xhafzotaj, është shpallur në kërkim.
Gjatë operacionit, policia ka sekuestruar pesë automjete, pesë telefona celularë, një shumë parash si dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal dhe që do të shërbejnë si prova materiale në hetim.
Autoritetet bëjnë me dije se vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sipas ligjit, personat e përfshirë konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
