Banka e Shqipërisë i heq licencën “Soft&Solution” pas akuzave ndaj aksionarit për dosjen e AKSHI-t

Data

Banka e Shqipërisë ka vendosur t’i shfuqizojë licencën institucionit financiar të parasë elektronike “Soft & Solution”, pas zhvillimeve që lidhen me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për skemën kriminale në AKSHI.

Vendimi vjen pasi SPAK lëshoi në dhjetor të vitit të kaluar urdhër arresti ndaj aksionarit të shoqërisë, Ermal Beqiri, i dyshuar për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Edhe pse akuzat nuk lidhen drejtpërdrejt me aktivitetin financiar të kompanisë, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se institucioni nuk plotëson më kriterin e reputacionit të përshtatshëm të aksionarit.

“Soft & Solution” ishte licencuar si institucion i parasë elektronike që në nëntor të vitit 2021, por aktivitetin në këtë fushë e kishte nisur më vonë, përmes markës tregtare ALPay. Kjo platformë ofronte shërbime pagesash dhe ishte një nga subjektet e lidhura me e-Albania për pagesat e disa shërbimeve publike.

Banka e Shqipërisë është mbështetur në rregulloret që kërkojnë që themeluesit dhe aksionarët e subjekteve financiare të kenë reputacion të mirë gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të aktivitetit. Sipas këtyre rregullave, licenca mund të pezullohet ose të hiqet kur subjekti nuk i përmbush më kushtet mbi të cilat është miratuar.

Një precedent i ngjashëm është regjistruar edhe më herët, kur Banka e Shqipërisë hoqi licencat e disa institucioneve financiare jobanka për shkak të masave të sigurisë ndaj aksionarëve të tyre.

Me këtë vendim, numri i institucioneve të licencuara të parasë elektronike në Shqipëri zbret nga 11 në 10.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related