Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shkelje të rënda në sistemin shëndetësor, ku barna të skaduara dhe me cilësi të ulët janë shpërndarë për pacientët përmes skemës së rimbursimit.
Sipas raportit të auditimit në FSDKSH, gjatë vitit 2024 janë importuar miliona njësi barnash “spitalore”, një pjesë e të cilave është shpërndarë në farmacitë e hapura në kundërshtim me ligjin.
Janë konstatuar raste ku mijëra barna janë shitur me datë skadence identike me ditën e shitjes ose vetëm pak ditë para skadimit, duke rrezikuar shëndetin e pacientëve.
Raporti evidenton gjithashtu abuzime financiare, ku farmaci kanë përfituar rimbursim të plotë për barna që i kanë marrë me kosto zero, përmes faturave fiktive. Kjo skemë ka krijuar përfitime të padrejta dhe dëme financiare të konsiderueshme për buxhetin.
Probleme serioze janë konstatuar edhe në QSUT dhe spitalet rajonale, ku mungojnë dhjetëra barna, përfshirë edhe medikamente jetike të klasifikuara si “alternativë e vetme”.
Pas publikimit të raportit, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime dhe ka proceduar disa zyrtarë dhe përfaqësues të kompanive farmaceutike, të dyshuar për përfshirje në skemën e abuzimeve.
Ekspertët theksojnë se problemi kryesor lidhet me mungesën e kontrollit dhe dobësitë institucionale, ndërsa financimi i ulët i sistemit shëndetësor vijon të rëndojë mbi qytetarët, të cilët shpesh detyrohen të paguajnë nga xhepi për shërbimet mjekësore.
