Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se operacioni për shpëtimin e dy pilotëve amerikanë në territorin iranian ishte një nga misionet më të vështira, por edhe më të suksesshme të ushtrisë amerikane.
Gjatë një konference për shtyp, Trump e cilësoi ndërhyrjen si “historike”, duke theksuar se operacioni zgjati rreth 48 orë dhe përfshiu një numër të madh avionësh dhe helikopterësh ushtarakë.
Sipas tij, forcat amerikane ndërmorën rreziqe të mëdha duke hyrë në territorin e armikut për të nxjerrë pilotët të gjallë. Ai bëri të ditur se gjatë operacionit u zhvilluan përleshje dhe disa mjete të armikut u goditën.
Trump theksoi gjithashtu se pilotët pësuan lëndime gjatë misionit, por arritën të shpëtohen, duke nënvizuar se SHBA nuk lë pas asnjë nga ushtarët e saj në situata të tilla.
Ai shtoi se gjatë operacionit është kërkuar edhe ndihma e popullsisë lokale për të lokalizuar pilotët në zonën ku ndodheshin, duke e cilësuar misionin si një dëshmi të fuqisë dhe vendosmërisë së ushtrisë amerikane.
Në përfundim, presidenti amerikan vlerësoi performancën e forcave të armatosura, duke deklaruar se ato mbeten ndër më të fuqishmet në botë dhe të gatshme për çdo ndërhyrje të nevojshme.
