Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka ngritur shqetësimin për problemet e vazhdueshme të pronësisë në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një nga plagët më të vjetra dhe më të thella të vendit.
Gjatë një reagimi publik, Muçi u ndal te protesta e zhvilluar para Parlamentit, ku morën pjesë komunitete të ndryshme nga disa zona të vendit. Ai veçoi banorët e Rrjollit si një shembull të fortë rezistence, të cilët po kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në zonën e tyre, me pretendimin se po u grabiten pronat.
Sipas tij, kjo nuk është një çështje e izoluar. Ai përmendi edhe raste të tjera, si në Durrës, ku banorët pretendojnë se u prishen shtëpitë pa kompensim të drejtë, në Bulqizë ku ka konflikte për kullotat dhe burimet ujore, si dhe në Pogradec, ku projektet për resorte turistike po shoqërohen me mosmarrëveshje për pronësinë.
Muçi thekson se problemi i pronave është komplikuar ndër vite dhe sipas tij nuk është zgjidhur qëllimisht. Ai akuzon shtetin se ka krijuar një vakum ligjor, i cili më pas përdoret për të marrë pronat e qytetarëve dhe për t’i kaluar ato në duart e interesave private.
Në këtë kontekst, ai shprehet se çdo herë që parashikohen investime të mëdha, veçanërisht në turizëm apo energji, lindin konflikte për pronësinë, duke ngritur dyshime për mënyrën se si menaxhohen këto procese.
Në përfundim, Muçi apelon për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare të çështjes së pronave, duke theksuar se vetëm kështu mund të shmangen konfliktet dhe të garantohet siguria juridike për qytetarët.
