Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pritet të zhvillojë një udhëtim të papritur në rajonin e Gjirit Persik, duke përfshirë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, kjo vizitë vjen në një moment delikat gjeopolitik dhe konsiderohet si e para e një lideri perëndimor në rajon që nga përshkallëzimi i konfliktit në Iran.
Qëllimi kryesor i këtij udhëtimi është forcimi i sigurisë energjetike të Italisë, në një kohë kur furnizimet globale me naftë dhe gaz janë vënë nën presion. Rajoni i Gjirit Persik mbetet një nga burimet kryesore të energjisë në botë, duke e bërë atë strategjik për vendet evropiane.
Burime nga qeveria italiane bëjnë me dije se vizita synon gjithashtu thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare me vendet e rajonit, si dhe koordinimin e qëndrimeve në lidhje me situatën e sigurisë.
Meloni ka shprehur mbështetjen e Italisë për vendet e Gjirit që janë përballur me kërcënime dhe sulme në kuadër të tensioneve me Iranin, duke nënvizuar rëndësinë e stabilitetit rajonal për ekonominë globale dhe sigurinë energjetike.
