Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër lidhur me rritjen e çmimeve në Shqipëri, duke e cilësuar situatën si pasojë të një modeli ekonomik të dështuar dhe keqqeverisjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se familjet shqiptare po përballen çdo muaj me kosto gjithnjë e më të larta jetese, ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta, duke krijuar një hendek të thellë mes çmimeve dhe fuqisë blerëse.
Sipas saj, çmimet në vend kanë arritur rreth 60% të nivelit të Bashkimit Evropian, ndërkohë që të ardhurat janë vetëm rreth 20%. Ajo argumenton se kjo situatë nuk lidhet thjesht me tregun e lirë, por me deformime të tij, për shkak të mungesës së konkurrencës reale në sektorë kyç si ushqimet dhe karburantet.
Tabaku thekson se struktura oligopoliste në treg po ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve, ndërsa një rol të rëndësishëm luajnë edhe taksat e larta dhe komplekse, të cilat sipas saj transferohen tek konsumatorët.
Ajo e cilëson modelin aktual ekonomik si të varur nga shpenzimet publike dhe pa mbështetje reale për prodhimin vendas dhe investimet private.
“Çmimet e larta nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i një sistemi që nuk funksionon për shumicën”, theksoi Tabaku, duke kërkuar ndryshim të qeverisjes si zgjidhje për situatën.
