Janë zbardhur detaje nga takimi me dyer të mbyllura i kryeministrit Edi Rama me kryetarët socialistë të bashkive, ku janë dhënë disa porosi kryesore për drejtimin vendor.
Gjatë fjalës së tij, Rama ka kërkuar fokus të shtuar në tre drejtime kryesore:
- Forcimi i emergjencave civile në nivel vendor, për të përballuar situata të mundshme krizash;
- Rritja e angazhimit për “paketën e maleve”, për shkak të interesit në rritje për zhvillimin e zonave malore;
- Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve, sidomos në zonat turistike.
“Jemi duke punuar për mbledhjen dhe përpunimin e mbetjeve, sidomos në zonat turistike”, mësohet të ketë theksuar kryeministri gjatë mbledhjes.
Takimi është zhvilluar në Pallatin e Kongreseve dhe ka qenë i mbyllur për publikun, ndërsa ka pasur edhe polemika lidhur me pjesëmarrjen.
Kryebashkiaku i Puka, Rrok Dodaj, ka deklaruar se nuk është lejuar të hyjë në sallë, pavarësisht se kishte marrë ftesë. Sipas tij, organizatorët i kanë komunikuar se ftesa ishte dërguar gabimisht.
Ndërkohë, disa kryebashkiakë të opozitës kanë pohuar se kanë marrë ftesë, ndërsa të tjerë, si kryetarët e bashkive të Hasit dhe Mirditës, kanë deklaruar se nuk janë ftuar fare.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka sqaruar se takimi ishte i dedikuar vetëm për kryebashkiakët e saj, duke përjashtuar kështu përfaqësuesit e opozitës.
