Ish-drejtori i përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka reaguar publikisht një ditë pas largimit nga detyra, duke ndarë një mesazh falënderimi dhe reflektimi mbi punën e tij në krye të sistemit penitenciar.
Në një postim në rrjetet sociale, Qose shprehu mirënjohjen për besimin e dhënë gjatë mandatit, si dhe falënderoi punonjësit e sistemit për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar.
Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendase, përfshirë organet e drejtësisë, duke theksuar rëndësinë e këtij koordinimi në përmirësimin e sistemit.
Duke bërë një bilanc të punës së tij, Qose renditi disa nga reformat dhe investimet kryesore:
- Vendosja e sistemeve antidron në burgjet e sigurisë së lartë
- Pajisja me mjete të blinduara për transportin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë
- Shtimi i flotës së ambulancave
- Investime në infrastrukturë, përfshirë burgun e ri në Kukës dhe rihapjen e institucionit të Ali Demit
- Digjitalizimi dhe rritja e standardeve të sigurisë
Në përmbyllje të mesazhit, ai i uroi suksese drejtuesit të ri të Burgjeve, Ardiatik Kupi, duke theksuar rëndësinë e vijimit të reformave në këtë sektor të ndjeshëm.
