Qeveria ka ndërmarrë lëvizje të reja në Ministrinë e Mbrojtjes, ku kryeministri Edi Rama ka nisur një seri ndryshimesh në strukturat drejtuese.
Në mbledhjen e fundit të qeverisë është shkarkuar nga detyra zëvendësministri Andrea Shllaku, ndërsa në vend të tij është emëruar Pranvera Skana. Burime politike bëjnë me dije se këto lëvizje lidhen me një riorganizim të brendshëm dhe largimin e figurave të lidhura me ish-ministrin Pirro Vengu dhe ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.
Sipas të njëjtave burime, ndryshimet nuk ndalen këtu. Në fokus janë edhe poste të tjera kyçe në administratë, ku priten largime të mëtejshme në kuadër të një ristrukturimi më të gjerë.
Ndërkohë, është raportuar edhe për largimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, çka forcon idenë e një vale më të gjerë ndryshimesh.
Nga ana tjetër, Pirro Vengu ka reaguar duke minimizuar tensionet politike, duke theksuar se vendi përballet me sfida më të rëndësishme sesa debatet e brendshme partiake.
Ai u shpreh se në një kontekst ndërkombëtar të ndjeshëm, Shqipëria ka nevojë për pjekuri dhe fokus te çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt qytetarët, si ekonomia dhe siguria.
Zhvillimet e fundit tregojnë për një riorganizim të brendshëm në qeveri dhe Partinë Socialiste, në një kohë kur tensionet politike dhe sfidat ndërkombëtare mbeten të larta.
