Fillon gjykimi në themel për tenderat e Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bankën e të akuzuarve Evis Berberi dhe 21 persona për korrupsion e pastrim parash

Data

Gjykata e Posaçme ka çelur zyrtarisht shqyrtimin në themel të çështjes penale ndaj Evis Berberi dhe 21 të pandehurve të tjerë, të akuzuar për korrupsion, shkelje të barazisë në tendera dhe pastrim parash.

Pas shtatë shtyrjesh të njëpasnjëshme, seanca e zhvilluar më 1 prill u fokusua në paraqitjen e akuzave nga prokurori Dritan Prençi, i cili lexoi rrethanat kryesore të dosjes dhe lidhjet mes të pandehurve.

Sipas hetimeve të SPAK, janë identifikuar shkelje në të paktën tetë procedura prokurimi të zhvilluara gjatë viteve 2020–2022, me një vlerë totale prej rreth 526 milionë lekësh, në institucione si Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Agjencia për Efiçencën e Energjisë.

Prokuroria pretendon se tenderat janë fituar në mënyrë të paracaktuar nga kompania “Net Group”, ndërsa përfitimet monetare dyshohet se janë kanalizuar në mënyrë të tërthortë tek Berberi përmes një shoqërie tjetër. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu tentativa për fshehje të pronësisë përmes kalimeve fiktive te persona të tjerë.

Në seancë u diskutua edhe mundësia e ndarjes së çështjes, pasi një nga të pandehurit nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Shumica e avokatëve nuk kundërshtuan këtë opsion, ndërsa vendimi përfundimtar iu la në dorë gjykatës.

Seanca e radhës është caktuar për më 8 prill, ku pritet vijimi i procesit për një nga dosjet më të rëndësishme të korrupsionit në fushën e tenderave publikë në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related