Momente tensioni janë regjistruar në Greqi gjatë zhvillimit të gjyqit për aksidentin hekurudhor të Tempit, ku një prej familjarëve të viktimave, Pano Ruçi, humbi ndjenjat dhe u transportua me urgjencë në spital.
Ruçi, i cili humbi djalin 21-vjeçar në tragjedinë e ndodhur tre vite më parë, ndodhej në sallën e gjyqit kur pësoi një episod të fikëti. Ai u dërgua me ambulancë drejt Spitalit Universitar të Larisës, ku aktualisht ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe raportohet në gjendje të stabilizuar.
Sipas mediave greke, incidenti ndodhi në ambientet e kompleksit “Gaiopolis”, ku po zhvillohet procesi gjyqësor për një nga ngjarjet më të rënda hekurudhore në vend.
Megjithatë, avokatja e tij, Zoe Konstantopoulou, ka ngritur akuza të forta ndaj policisë, duke pretenduar se Ruçi është dhunuar nga efektivët gjatë tensioneve në sallë.
Sipas saj, ndërhyrja e forcave të rendit ishte e ashpër dhe ka përfshirë edhe pengimin e familjarëve për t’u afruar pranë njëri-tjetrit gjatë momentit kritik.
Ngjarja ka shtuar edhe më shumë tensionet rreth procesit gjyqësor për tragjedinë e Tempit, e cila vazhdon të mbetet një plagë e hapur për opinionin publik dhe familjarët e viktimave në Greqi.
