Ish-ministri Arben Malaj ka hedhur dritë mbi zhvillimet e brendshme në Partinë Socialiste, duke theksuar se sot mungon debati dhe diskutimi brenda strukturave të saj.
Në një intervistë televizive, Malaj u ndal te reagimet e fundit të Ermonela Felaj, duke vlerësuar profesionalizmin dhe integritetin e saj gjatë kohës që ka ushtruar funksione publike.
Sipas tij, një vendim i rëndësishëm i Felajt në kohën kur ishte ministre lidhej me refuzimin për të vijuar procedurat për një kompani të përfshirë në projektet e inceneratorëve, pasi nuk ishte e regjistruar sipas ligjit. Ky qëndrim, sipas Malajt, i kushtoi asaj në karrierë.
“Kjo kolege meriton respekt maksimal. Ajo ka vepruar me integritet dhe profesionalizëm. Një shënim i saj për mosvazhdimin e procedurave për një kompani të paregjistruar praktikisht i ‘hëngri kokën’”, u shpreh ai.
Malaj theksoi se në të kaluarën, Partia Socialiste ka pasur më shumë hapësirë për debat dhe mendim ndryshe, ndërsa sot, sipas tij, këto elemente janë zbehur ndjeshëm.
Ai shtoi se vendimmarrja brenda partisë ka ndryshuar, duke nënkuptuar se ndikimi i lidershipit është më i fortë dhe më pak i balancuar nga diskutimi i brendshëm.
