Shpallja e ambicies së Erion Braçe për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës ka ndezur debatet brenda Partisë Socialiste, duke u interpretuar si një lëvizje që mund të trazojë balancat e brendshme politike.
Analisti Arben Meçe u shpreh se mbetet e paqartë pse Braçe zgjodhi pikërisht këtë moment për të bërë publik synimin e tij, por theksoi se nëse ai e vijon betejën brenda strukturave të PS, kjo është për t’u përshëndetur. Sipas tij, Braçe duhet të jetë më i qartë në kërkesat dhe objektivat që synon.
Nga ana tjetër, pedagogia Arseida Gjyli e cilësoi kandidaturën si të bazuar, duke argumentuar se Braçe ka adresuar shpesh problematikat e qytetarëve të Tiranës dhe ka marrë mbështetje të konsiderueshme në zgjedhjet e fundit.
Ndërsa avokati Rezart Kthupi e sheh këtë zhvillim si një lëvizje të mirëkalkuluar politike. Sipas tij, momenti është i favorshëm për Braçen, pasi Edi Rama ndodhet në një pozicion më të dobët politik pas zhvillimeve të fundit në Kuvend. Kthupi shton se shpallja e kandidaturës shërben edhe si presion ndaj strukturave të partisë për ta marrë në konsideratë këtë alternativë.
Ai theksoi gjithashtu se brenda PS-së po përvijohen dy linja mendimi politik, një e lidhur me Ramën dhe një tjetër që lidhet me Elisa Spiropali, duke paralajmëruar se përplasjet e brendshme mund të intensifikohen në vijim.
Në të njëjtën linjë, analisti Arian Galdini e interpretoi lëvizjen e Braçes si një përpjekje për të dalë nga dinamika e përplasjeve të brendshme dhe për të riformatuar rolet politike në PS.
Sipas tij, kjo situatë tregon se brenda partisë po zhvillohet një proces rinegocimi i raportit të forcave dhe i ndikimit politik, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kandidatura e Braçes do të konkretizohet apo do të mbetet një presion politik ndaj drejtuesve të PS.
