Drejtori i ri i Policisë së Shtetit, Skënder Hita: Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit, “pastrim” edhe brenda radhëve tona

Data

Pas betimit në krye të Policisë së Shtetit, drejtori i ri Skënder Hita mbajti fjalimin e tij të parë, duke theksuar përgjegjësinë e lartë që merr përsipër në këtë detyrë. Në ceremoninë ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, ai u shpreh se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim maksimal ndaj ligjit dhe qytetarëve.

Hita e cilësoi këtë moment si kulmin e një karriere 25-vjeçare në uniformë, duke shtuar se posti i ri nuk është vetëm arritje personale, por mbi të gjitha përgjegjësi ndaj publikut dhe vetë efektivëve të policisë.

Në fjalën e tij, ai vuri theksin tek sfidat kryesore të institucionit, duke nënvizuar se prioritet mbetet rritja e besimit të qytetarëve dhe përmirësimi i rezultateve në terren. Drejtori i ri u zotua për një luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se kjo do të nisë nga vetë radhët e Policisë së Shtetit.

Ai renditi si objektiva kryesore forcimin e rendit dhe sigurisë në të gjithë vendin, rritjen e sigurisë në shkolla dhe komunitete, modernizimin e policisë përmes teknologjisë dhe rritjen e transparencës ndaj qytetarëve. Po ashtu, Hita theksoi rëndësinë e mbështetjes për efektivët e ndershëm dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë.

Në fund, ai apeloi për më shumë përkushtim dhe integritet nga punonjësit e policisë, duke theksuar se autoriteti i institucionit duhet të fitohet çdo ditë përmes shërbimit dhe drejtësisë, dhe jo të imponohet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related