Projekti “LIFT Tower”, një nga nismat kryesore për zhvillimin e pronave shtetërore në bashkëpunim me sektorin privat, ka dështuar sërish të tërheqë interes, duke u shpallur pa asnjë aplikant për herë të pestë nga Korporata e Investimeve Shqiptare.
Thirrja e fundit për shprehje interesi u hap në fund të janarit, me afat fillestar në shkurt dhe më pas të shtyrë deri më 19 mars, por edhe këtë herë nuk pati asnjë kompani të interesuar për projektin.
“LIFT Tower” ishte konceptuar si një ndër projektet pilot për të zhvilluar pronat publike përmes partneritetit me sipërmarrjen private. Në këmbim të investimit, shteti do të përfitonte hapësira moderne zyrash për institucione si Kadastra, ndërsa zhvilluesit do të ndërtonin kulla shumëkatëshe në zona të preferuara të Tiranës.
Edhe pse kushtet janë lehtësuar, duke ulur përqindjen e sipërfaqes që duhet t’i kalojë shtetit nga 45% në 40%, projekti nuk ka arritur të tërheqë interesin e tregut.
“LIFT Tower” dhe projekti paralel “VOID Tower” parashikojnë ndërtime në zona strategjike, përfshirë rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, me synimin për të krijuar një kompleks modern institucional dhe biznesi.
Sipas dokumenteve zyrtare, përmes këtij modeli bashkëpunimi, institucionet publike do të përfitonin rreth 34 mijë metra katrorë hapësira të reja pa kosto, ndërsa zhvilluesit do të përfitonin nga zhvillimi i një prone me vlerë të lartë ekonomike.
Megjithatë, mungesa e interesit nga sektori privat ngre pikëpyetje mbi fizibilitetin e këtij modeli dhe klimën e investimeve në vend.
Dështimi i përsëritur i “LIFT Tower” pason edhe projekte të tjera të ngjashme që nuk kanë arritur të finalizohen, përfshirë iniciativa për ndërtimin e stadiumeve apo zhvillimin e Bibliotekës Kombëtare, duke treguar vështirësi të vazhdueshme në partneritetet publike-private në Shqipëri.
