Pakënaqësi në PS për rezultatin në Sarandë/ Edi Rama kritikon Ardit Bido

Data

Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi për rezultatin e arritur në Sarandë gjatë mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë dhe kabinetit qeveritar.

Sipas burimeve nga mbledhja, Rama i është drejtuar deputetit të ri të qarkut Vlorë, Ardit Bido, duke theksuar se nuk ka arritur pritshmëritë pavarësisht mbështetjes së fortë nga qendra.

“Ti pate një mbështetje të fortë, por nuk arrite pritshmëritë. Duhet të mësosh nga Damiani si të bëhesh i suksesshëm në zgjedhje”, mësohet të ketë thënë Rama, duke iu referuar Damian Gjiknuri.

Tensione dhe kritika në mbledhje

Mbledhja disaorëshe e socialistëve është shoqëruar me debate dhe kritika të forta nga kreu i qeverisë, jo vetëm për rezultatet elektorale, por edhe për sjelljen dhe performancën e disa deputetëve.

Një prej episodeve lidhet me përdorimin e telefonit gjatë mbledhjes, ku Rama i ka tërhequr vëmendjen Gjiknurit:

“Damian lëre telefonin se më shpërqendron kur flas”, citohet të ketë thënë ai.

Po ashtu, Rama ka përcjellë mesazhe kritike edhe për deputetët e qarkut Shkodër, duke kërkuar distancim nga çështje të caktuara pronësie që sipas tij bazohen në dokumente të falsifikuara.

Përplasja Spiropali–Ismaili

Mbledhja u karakterizua edhe nga tensione mes Elisa Spiropali dhe ministres Erjona Ismaili, gjatë prezantimit të kësaj të fundit.

Situata u përshkallëzua kur Rama ndërhyri me tone të ashpra ndaj Spiropalit, duke i kërkuar të mos ndërhynte gjatë fjalës së ministres dhe duke paralajmëruar masa disiplinore.

Ky takim ka nxjerrë në pah jo vetëm pakënaqësitë për rezultatet në terren, por edhe tensionet e brendshme në radhët e socialistëve, në një moment kur mazhoranca po përgatitet për sfidat e ardhshme politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related