Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë pa ndërprerje, duke e cilësuar atë si një angazhim të vazhdueshëm dhe jo një nismë të përkohshme.
Gjatë podcastit “Flasim”, Rama theksoi se deri më tani vetëm në Tirana janë çliruar rreth 140 mijë metra katrorë hapësira publike, duke e konsideruar këtë një arritje të rëndësishme në përpjekjen për rivendosjen e rregullit në qytet.
Sipas tij, procesi nuk është i lehtë pasi përballet me një mentalitet të rrënjosur ndër vite në lidhje me përdorimin e hapësirave të përbashkëta, por ai do të vazhdojë me këmbëngulje.
“Ky nuk është një aksion i përkohshëm, por një angazhim i vazhdueshëm për të rivendosur rregullin në hapësirat publike”, u shpreh ai.
Kryeministri nënvizoi se ndërhyrjet nuk janë kufizuar vetëm në zonat urbane, por po shtrihen edhe në zonat rurale dhe ato me interes turistik, ku janë evidentuar ndërtime pa leje dhe depozitime inertesh.
Paralelisht me këtë proces, qeveria po punon për vendosjen e modeleve të reja urbane dhe hartimin e një rregulloreje të përgjithshme, e cila do të përcaktojë qartë kufijtë e përdorimit të hapësirave publike nga bizneset.
Një nga parimet kryesore që pritet të zbatohet është raporti 70% hapësirë publike dhe 30% përdorim privat, duke garantuar prioritet për komunitetin dhe këmbësorët.
Në përfundim, Rama theksoi se qëllimi i këtij procesi është krijimi i një standardi të ri për përdorimin e hapësirave të përbashkëta dhe përmirësimi i cilësisë së jetës urbane në vend.
