Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ai ka kryer “grusht shteti” për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjete sociale, Berisha deklaroi se qeveria ka ushtruar presion ndaj mediave për të shmangur raportimin mbi çështje që ai i lidh me korrupsionin, veçanërisht ato që përfshijnë ish-zv/kryeministren Belinda Balluku.
Sipas tij, mosveprimi për heqjen e imunitetit ndaj zyrtarëve të lartë përbën një akt të rëndë politik, ndërsa akuzoi qeverinë se ka tentuar të kontrollojë informacionin publik dhe debatin mediatik.
Berisha shtoi gjithashtu se kryeministri ka pasur qëndrime përplasjeje edhe me partnerët ndërkombëtarë, duke pretenduar se këto reagime kanë ardhur si përpjekje për të shmangur vëmendjen nga problemet e brendshme, përfshirë çështjet e drogës dhe korrupsionit.
Në përfundim, lideri i opozitës përsëriti thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit, duke theksuar se situata politike dhe institucionale në vend, sipas tij, është e rënduar dhe kërkon ndryshim.
